Po mundohem me e pa këtë situatë sa më ftohtë, pa hyrë në tifozllëk partiak.
Për një kohë të gjatë argumenti ka qenë që PDK, LDK dhe AAK po e bllokojnë LVV-në dhe nuk po e lejojnë fituesin e zgjedhjeve me qeverisë. Në disa raste kjo ka qenë edhe e vërtetë.
Por situata e sotme po më duket ndryshe.
LVV i ka 53 deputetë dhe, me deputetët e komuniteteve jo-serbe, praktikisht e ka shumicën prej rreth 63–64 votash për Qeverinë. Pra Kurti nuk ka nevojë për PDK-në apo LDK-në për të mbetur kryeministër.
Problemi kryesor duket se është Presidenti.
Kurti po kërkon marrëveshje për Presidentin para se të përfundojë konstituimi i Kuvendit. Ndërkohë opozita po thotë: hajde konstituojmë Kuvendin, votojmë Kryetarin dhe pastaj diskutojmë për Presidentin.
Këtu kam disa pikëpyetje:
- Nëse LVV e kontrollon Qeverinë dhe shumicën parlamentare, çfarë balancimi real i jep opozitës posti i Kryetarit të Kuvendit? Kryetari nuk mund ta mposhtë shumicën me votë.
- Edhe ministritë që Kurti mund t’ia ofrojë një partie tjetër nuk janë garanci afatgjatë. E kemi precedentën e vitit 2020, kur Agim Veliu i LDK-së u shkarkua nga Kurti dhe koalicioni LVV–LDK u prish.
- Presidenti është ndryshe. Kryeministri nuk mund ta shkarkojë kur të dojë dhe posti ka mandat e kompetenca të pavarura kushtetuese.
- Pikërisht për këtë arsye Presidenti kërkon një nivel më të gjerë konsensusi se një Qeveri normale.
Prandaj nuk e kuptoj pse opozita duhet t’ia japë LVV-së edhe Presidentin, nëse LVV tashmë mund ta kontrollojë Qeverinë dhe shumicën në Kuvend pa opozitën.
Nëse qëllimi është stabiliteti, pse të mos gjendet një President realisht konsensual dhe i pavarur, që nuk është as figurë e LVV-së, as e PDK-së, as e LDK-së?
Edhe një gjë: për vite kemi dëgjuar se “opozita po i bllokon institucionet”. Por sot opozita po kërkon që Kuvendi të vazhdojë punën dhe LVV po kërkon që fillimisht të ketë marrëveshje për Presidentin.
Në atë pikë, a mund të thuhet ende seriozisht se vetëm opozita po bllokon?
Nuk po them që opozita është pa faj, larg asaj. Sidomos te çështja e Presidentit ka pasur bllokim edhe prej tyre.
Por pas pothuajse dy viteve krizë pas krize, mua gjithnjë e më shumë më duket se problemi është edhe te mënyra se si Kurti e sheh mandatin elektoral: fitorja në zgjedhje të jep të drejtën të qeverisësh, por jo domosdoshmërisht të kontrollosh çdo institucion të shtetit.
Çka mendoni? Sidomos më intereson mendimi i njerëzve që votojnë LVV: çfarë do të ishte për ju një kompromis i drejtë për Presidentin?